Ndricim Ademaj

Aty ku e kishim lënë



Të prita me vite
veç për të t’thënë ‘mos më prit’

kush të tha se duhet ta ngatërrosh kohën
numrat
datat
rrugët,
a të mos piqemi kurrë më?!

ti e dije për kë binin këmbanat
kush vdiq e kush lindi
nga kurorëzimet pa dëshmitarë, e dije
po prapë zure veshët me duart e mia
dhe më puthe qorras

unë të prita me vite
aty, ku e kishim lënë
për ta kthyer kohën në vend
dhe për të thënë
lamtumirë...

Post scriptum

Kur unë s’isha aty
ti e paske bërë me vetminë
çdo natë e paske bërë
fytyrën time kishte vetmia?

atë, ti e di…

Kur unë aty s’kam qenë
ti thonjtë e heshtjes paske kafshuar
shijshëm
shijen time kishte heshtja?

veç ti e di…