TË ISHA ERË...
Ne duar s’patëm kurrë.
Patëm veç qiellin në sy
e krojet e Mirushës në gji.
...një jetë t'vonume,
që kërkon e mohon aq shumë,
dhe një botë iluzionesh.
Oh ! Veç duar s'patëm !
O Zot, të isha erë më mirë,
jo grua...
Do të kalëroja tani me vjeshtën
e do t'luaja nëpër qenien tënde
si një lajkatare
e do t’i puthja të gjitha dhimbjet.
Ah, të gjitha dhimbjet të t’i joshja
e t’i bartja në krojet e mia,
pasi dëshirat kurrë nuk munda.
DRITËN KAM BRENDA VETES
E S'MA MERR DOT
Rrëmbemë, si era një re të fundme trishtimi
dhe epmë qiellit të kësaj nate të zbrazët.
Të frysh sa më larg të jetë e mundur
të mos plandosem në pellgje shiu vjeshte,
mes gjithë këtyre të parëndësishmëve.
Fryjmë, të kapem diku në këtë natë
Më nuk e di ku e kam vendin.
Oh, natë,
e prangosura jote do të jem,
ashtu siç më deshe!
Do t’i mbyll të gjithë parmakët
unë dritën kam brenda vetes
e s'ma merr dot.
Tani aq mirë ia njoh sytë,
buzët e duart dashurisë.
Do t’i gjej të gjitha nëpër terr
do t’i shoh, do t’i prek e puth
sa herë të dua.
Asgjë s'më more, ta dish!
Myrvete Mehmeti
Subscribe to:
Posts (Atom)